Ministry of Defence - Republic of Albania

01/24/2022 | Press release | Distributed by Public on 01/24/2022 05:59

Përfunduan Kursin Special, certifikohen 14 efektivë të rinj, 4 nga Kosova

e hënë, 24 janar 2022 12:11

Fotogaleria

Katërmbëdhjetë efektivë, mes të cilëve katër nga Kosova përfunduan Kursin XIII Bazë të Forcave Speciale.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë ministrat e Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kosovës, Niko Peleshi dhe Armend Mehaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begaj, si dhe komandantë të forcave nga Shqipëria e Kosova.

Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh i kënaqur që në këtë kurs morën pjesë edhe efektivë të Forcës së Sigurisë Kosovës: "Ne jemi së bashku për Shqipërinë, për Kosovën, për aleancën tonë në NATO, jemi së bashku për paqen, për sigurinë kombëtare, për mbrojtjen kolektive, jemi së bashku në të gjitha sfidat që na presin. Ne përgatitemi për më të keqen dhe urojmë më të mirën", - u shpreh Peleshi.

Duke theksuar faktin se pjesëmarrja në FA po bëhet gjithnjë e më motivuese, që nga trajtimet dhe deri te rritja e prestigjit moral të FA, ministri Peleshi u shpreh se: "Shqipëria është një faktor i rëndësishëm dhe do të mbetet në rajonin e Ballkanit Perëndimor". Lajmi i mirë për gjithë botën është që shqiptarët janë orientuar në kahun e duhur drejt Perëndimit. Ne i shërbejmë këtij orientimi në të gjitha fushat e jetës e veçanërisht në FA që janë këtu me dinjitet përkrah Aleancës tonë më të madhe, politike e ushtarake të NATO, përkrah partnerit special strategjik SHBA dhe ju jeni një nga pjesët më të rëndësishme të krenarisë tonë, jeni një nga gurët më të çmuar të kurorës të FA", - tha Peleshi.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës Armend Mehaj, duke iu drejtuar efektivëve të rinj u shpreh se: "Të kalosh këtë sfidë është vetëm fillimi çfarë kërkon atdheu. Si pjesëtarë të Forcës Speciale ju do të jeni të përgatitur për të gjitha sfidat, por edhe kur sfida është aty, ju duhet të jeni të përgatitur të mendoni dhe jashtë kornizave normale dhe ajo të bën më të dalluar nga të tjerët".

Në këtë ceremoni që përkon edhe me rastin e 1 - Vjetorit të krijimit të Regjimentit të Operacioneve Speciale, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës akordoi medaljen "Për shërbime të shquara", për komandantët e Regjimentit të Operacioneve Speciale, batalionit të Forcave Speciale dhe atij Komando, ndërsa ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë akordoi medaljen "Për shërbime të shquara" për disa prej efektivëve të këtij reparti elitar.

Pjesëmarrësit në ceremoninë e përfundimit të Kursit XIII Bazë të Forcave Speciale, ndoqën nga afër disa veprime taktike nga stërvitja e përditshme e efektivëve të Regjimentit të Operacioneve Speciale si: luftim i afërt, goditje objekti me depërtim nga toka dhe ajri, qitje ndaj objektivave të lëvizshme, qitje me sniper, veprime alpinistike tek kulla e alpinizmit, etj.

Për ndjekjen e Kursit Bazë të Forcave Speciale, konkurruan 140 ushtarakë të gradave të ndryshme, nga të cilët arritën të fitojnë të drejtën për ndjekjen e tij 59 prej tyre. Megjithatë, vetëm 14 ushtarakë, prej të cilëve 4 nga Kosova, arritën ta përfundojnë me sukses kursin special që zgjat rreth 6 muaj, çka tregon intensitetin dhe vështirësitë fizike ekstreme dhe psikologjike që përmban ky kurs.