Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

04/30/2024 | Press release | Distributed by Public on 05/01/2024 02:41

Fjala e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në takimin e nivelit të lartë në kuadër të formatit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE

Faleminderit Ministër Lahbib për organizimin e këtij takimi në kohë, (i pari në margjinat e GAC) dhe faleminderit për eventin e bukur mbrëmë. Më lejoni gjithashtu t'ju përgëzoj për një presidencë shumë të suksesshme të BE-së deri tani.

Zgjerimi ka rezultuar gjithmonë, dhe përtej çdo dyshimi, si një nga politikat më të suksesshme të BE-së.

Çdo zgjerim i BE-së ka zgjeruar njëkohësisht fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe mirëqenies të njeriut. Çdo qytetar që i është bashkuar Unionit ka parë përmirësimin e jetës së tij. Si rrjedhojë, çdo zgjerim i ardhshëm nuk do të jetë përjashtim.

Jemi të lumtur që zgjerimi tanimë konsiderohet i një rëndësie strategjike për BE-në, dhe është në të vërtetë I tillë për të gjithë ne. E kemi theksuar vazhdimisht gjatë dy dekadave të fundit.

Ky takim ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe jam shumë i lumtur që mund të ndaj me ju, aq sa mund të them në pak minuta, atë që kemi bërë dhe po bëjmë në atë që ne e konsiderojmë si një nga reformat më transformuese në drejtësi në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Ne e mësuam në mënyrën e vështirë gjatë tranzicionit tonë me pengesa se një kornizë e fortë e sundimit të ligjit është thelbësore për zhvillimin, funksionimin e shoqërisë sonë dhe një imperativ për ndërtimin e besimit midis qytetarëve dhe në të njëjtën kohë, thelbësor për aspiratat tona evropiane.

Kuptuam se kishim nevojë për një reformë gjithëpërfshirëse në drejtësi që do të çonte në një ndryshim sistemik. Vetëm reformat radikale mund të sjellin ndryshime rrënjësore dhe në rastin tonë, ka qenë një transformim dhe ka shënuar një kthesë vendimtare për vendin.

Në Agjendën e Reformës në kuadër të Planit të Rritjes, ne i kemi vënë theks të veçantë reformave kundër korrupsionit, rritjes së transparencës, mekanizmave të integritetit në administratën publike.

E gjithë kjo është në të njëjtën kohë një investim në rrugën tonë evropiane, dhe siç jam i sigurt se të gjithë rreth tryezës janë të vetëdijshëm, Shqipëria është gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare dhe fillimin e negocimit të grupit të parë, themelor me shtetin e së drejtës, në thelbin e saj. Ne presim vetëm dritën jeshile nga Këshilli.

Më lejoni ta mbyll duke thënë atë që për ne është thjesht e qartë:

Së pari, BE-ja është partneri ynë më i afërt dhe më i besueshëm në rrugën tonë drejt së ardhmes. Ai kalon në procesin e zgjerimit si një udhëtim transformues drejt stabilitetit, prosperitetit dhe integrimit kombëtar dhe rajonal.

Së dyti, bashkëpunimi rajonal më i ngushtë dhe i zgjeruar mbetet një forcë shtytëse për avancimin e agjendës së sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor.

Së treti, për të garantuar suksesin e përpjekjeve tona dhe të agjendës së reformës dhe aderimin e qytetarëve tanë në këtë rrugë, duhet t'i shndërrojmë fjalët dhe premtimet në vepra konkrete dhe reale.

Për ne kjo nënkupton zbatimin në kohë të Planit të Rritjes, integrim të përshpejtuar kudo që është e mundur, dhe hapje negociatash për sa më shumë kapituj.

Në këtë mënyrë ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë shoqëri dhe një rajon të tërë ku njerëzit do të duan të jetojnë, në vend të vendeve nga të cilat duan të largohen.