Results

Ministry of Defence - Republic of Albania

01/09/2021 | Press release | Distributed by Public on 01/09/2021 06:55

Ministri i Mbrojtjes inspekton zonat e përmbytura: Kemi rritur gatishmërinë, situata në kontroll

e shtunë, 09 janar 2021 13:21

Fotogaleria

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka inspektuar që prej orëve të para të mëngjesit punën e bërë në zonat e prekura nga përmbytjet e fundit në Shkodër e Lezhë.
Në Kallmet të Lezhës, Ministri vuri në dukje përmirësimin e situatës krahasuar me një ditë më parë për shkak edhe të ndalimit të reshjeve, por edhe punës së mirë të bërë në këto vite nga institucionet.

'Kjo tërheqje e nivelit të ujit dhe ky përmirësim i situatës së përmbytjes duhet ta them që vjen nga puna e bërë shumë mirë në këto vitet e fundit për pastrimin e kanaleve ujitëse e kulluese. Pra, tërheqja e shpejtë e ujit, kur reshjet pushojnë tregon që këto investime funksionojnë dhe dua të përshëndes pushtetin vendor, bashkinë, kryetarin e bashkisë dhe prefektin që po punojnë shumë mirë.', - u shpreh ministri Peleshi, në një komunikim me median lokale.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në bashkëpunim të vazhdueshëm me të gjitha shtabet e ngritura nga pushteti vendor për të parandaluar çdo situatë që mund të krijohet edhe nga shtimi i reshjeve të cilat, siç tha ministri Peleshi, mund të arrijnë pikun në datën 11 janar, në bazë të parashikimeve të IGJEUM.

Më pas, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ishte në Obot, ku tha se është bërë një menaxhim i mirë i kaskadës së Drinit, gjë që mund të parandalojë rëndimin e situatës. Në Njësinë Administrative Ana e Malit nuk ka tërheqje të ujit për shkak edhe të kushteve natyrore të zonës, por e rëndësishme, sipas ministrit është që nuk ka rrezik për jetët e njerëzve.

'Dje kemi pasur dy - tre ngjarje evakuimi në Lezhë. Një në qytet dhe dy në zonat e përmbytura, zonë rurale. Edhe në Shkodër kemi pasur disa evakuime. Kemi 260 trupa speciale vetëm nga FA, të specializuar në gatishmëri. Kemi mbi 1200 trupa të angazhuara. Kemi rritur gatishmërinë, kemi kaluar një nivel më lart, pra kemi dyfishuar gatishmërinë që para tre ditësh, gjithashtu në rast se flasim në nivel kombëtar të gjitha bashkitë kanë angazhuar dhe mobilizuar 1500 trupa të gatshëm.', - deklaroi ministri i Mbrojtjes.

Ministri informoi se edhe situata në jug të vendit është në kontroll dhe prurjet e lumit Vjosa janë në rënie që prej mëngjesit.

VIDEO