Ministry of Defence - Republic of Albania

02/17/2021 | Press release | Distributed by Public on 02/17/2021 05:11

FA shpërndajnë ushqim për bagëtitë në fshatrat e prekur nga përmbytjet në Shkodër

e mërkurë, 17 shkurt 2021 11:52

Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e saj vijojnë prej 40 ditësh të lehtësojnë sadopak jetën e banorëve të prekur nga përmbytjet në fshatrat e njësive administrative Dajç dhe Ana e Malit në bashkinë e Shkodrës.

Me kërkesë të pushtetit lokal, Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit siguroi 35 ton koncentrat për bagëtitë në fshatrat e përmbytur të njësisë administrative Dajç. Ngarkesa iu dorëzua bashkisë nëpërmjet prefektes së qarkut nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako.

Më pas shpërndarja e koncentratit tek fermerët dhe blegtorët e zonës u bë nga vetë zyrtarët e bashkisë Shkodër.

Prej më shumë se një muaji Forcat e Armatosura janë përditë pranë banorëve të prekur nga përmbytjet në zonën e nën - Shkodrës. Trupat dhe mjetet e kalueshmërisë së lartë dhe ato lundruese të FA kanë evakuuar banorët e rrezikuar dhe mundësojnë çdo ditë lëvizjen e qytetarëve për punët e tyre të përditshme.

Trupat e Batalionit I të Këmbësorisë dhe ato të Batalionit të Mbështetjes Rajonale kanë transportuar rregullisht ujin e pijshëm për banorët si dhe kanë shpërndarë pakot ushqimore të siguruara nga Rezervat Materiale të Shtetit, për familjet më në nevojë.

Forcat e Armatosura do të vijojnë të qëndrojnë pranë banorëve deri në normalizimin e situatës, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile koordinon vazhdimisht punën me autoritetet lokale për të përballuar sa më mirë gjendjen e shkaktuar.