Ministry of Defence - Republic of Albania

04/24/2019 | Press release | Distributed by Public on 04/24/2019 05:17

Shqipëria merr kryesimin e Kartës së Adriatikut, mbahet në Tiranë takimi i parë i nivelit politik

e mërkurë, 24 prill 2019 12:37

Fotogaleria

Në cilësinë e vendit që drejton Iniciativën SHBA - Karta e Adriatikut (A-5) për vitin 2019, u zhvillua në Tiranë, Takimi i Përbashkët i Drejtorëve Politikë të Ministrive të Punëve të Jashtme dhe Ministrive të Mbrojtjes të Iniciativës Rajonale SHBA - Karta e Adriatikut (A-5).

Ky ishte takimi i parë politik i organizuar në kuadër të kësaj iniciative, ndërkohë që takime të tjera në perspektivën e mbrojtjes dhe ushtarake janë organizuar dhe më herët gjatë vitit 2019 në vendin tonë.

Ky takim u bashkëdrejtua nga znj. Inid Milo, drejtore e NATO dhe Politikave të Sigurisë në Ministrinë e Evropës dhe Punët e Jashtme dhe nga z. Gjergji Methoxha, drejtor i Politikave NATO dhe BE në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e vendeve anëtare të kësaj iniciative: Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe SHBA si dhe vendet vëzhguese: Kosova dhe Sllovenia.

Fokusi kryesor i këtij takimi ishte diskutimi mbi çështjet aktuale të sigurisë dhe mbrojtjes në rajonin tonë, kontributi i përbashkët në NATO, kriza e emigracionit dhe impakti i tyre në sigurinë e rajonit, si dhe sfidat e sigurisë në Evropën Perëndimore, me të cilat vendet tona po përballen.

Në këtë takimi u diskutua gjithashtu dhe Plani i Veprimit për vitin 2019 (Kalendari I Aktiviteteve), një dokument i hartuar nga Ministria e Mbrojtjes e RSH. Ky dokument shërben si udhërrëfyes për angazhimet që do të ketë Ministria e Mbrojtjes e RSH gjatë kryesimit të A-5.

Një ndër pikat më të rëndësishme të këtij takimi, ishte dhe prioritetet që do të ketë Shqipëria gjatë kryesimit të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut, të cilat në fokus kryesor kanë implementimin e 'Politikës së Dyerve të Hapura' brenda Kartës së Adriatikut si dhe promovimi i mëtejshëm i kësaj politike në kuadër të NATO. Këto prioritete të vendit tonë lidhen drejtpërdrejtë me mbështetjen e vazhdueshme që vendi ynë ofron për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut.

Ky takim i paraprin takimeve të tjera që do të zhvillohen në vendin tonë siç është Takimi i Drejtorëve Politikë të Mbrojtjes si dhe Ministeriali i Mbrojtjes të kësaj iniciative.