Ministry of Foreign Affairs - Republic of Albania

12/02/2021 | Press release | Distributed by Public on 12/02/2021 10:44

Fjala e Ministres Xhaçka në Këshillin Ministror të OSBE

Ky ministerial është një mundësi shumë e mirë që të gjithë ne të marrim frymë thellë dhe të ndalemi për të menduar për pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë që duket se po rritet në hapësirën e OSBE-së. Sepse besoj se situata nuk ka qenë kaq e pasigurt për një kohë të gjatë. Sigurisht, për momentin pjesa më e madhe e vëmendjes është e përqendruar në Ukrainë dhe rreth saj. E cila është një situatë shumë shqetësuese me rreziqe reale të përshkallëzimit dhe në dukje me shumë pak hapësirë për dialog. Mendoj se kur palët në çdo konflikt fillojnë të flasin për vijat e kuqe, kjo nuk është shumë e favorshme për diskutime dhe negociata konstruktive.

Por, teksa situata në Ukrainë dhe pasojat e mundshme të saj për sigurinë e Evropës po tërheqin në fakt vëmendjen më të madhe, nëse ndalemi për një moment dhe mendojmë, është e vështirë të mos arrijmë në përfundimin se kjo ka qenë veçanërisht një vit mjaft i vështirë për OSBE-në.

Ne kemi parë luftë, kemi parë shumë kërcënime për luftë dhe luftëra fjalësh, kemi parë përshkallëzimin e tensioneve, kemi parë krizën e refugjatëve dhe në përgjithësi, një mjedis sigurie dhe bashkëpunimi shumë më fluid dhe të paparashikueshëm sesa do të dëshironim shumica prej nesh. Nuk po diskutoj këtu për kërcënimet nga pandemia, apo nga ndryshimet klimatike.

Nëse shikoj zonën e Ballkanin Perëndimor, nuk më kujtohet të kemi qenë kaq të shqetësuar për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor për një kohë të gjatë. Ndërkohë, nëse shikoni trendin e Ballkanit Perëndimor gjatë të paktën 2 dekadave të fundit, ka qenë i prirur ndaj paqes dhe stabilitetit të konsoliduar, rritjes së bashkëpunimit, zhvillimit dhe prosperitetit. E megjithatë, papritur problemet e vjetra po dalin me forcë të re dhe po ngjallin fantazmat e politikës së vjetër të Ballkanit, nga e cila kanë vuajtur aq shumë rajonet tona.

Ka shumë shpjegime për atë që po ndodh. Mendoj se shumë prej nesh nuk do të shihen sy në sy për këto shpjegime. Por nëse e lëmë mënjanë për një moment këtë paaftësi për të rënë dakord për shkaqet e këtij shqetësimi, nëse mund ta quaj kështu, nga e cila duket se po vuajnë shumë nga zonat nën ombrellën e OSBE-së, mendoj se ka ende një problem edhe më të madh.

Në shumë raste, ka pothuajse një refuzim të drejtpërdrejtë për dialog, pothuajse një impuls për të menduar për problemet me fitues dhe humbës. Nuk dua të përgjithësoj dhe të thjeshtësoj. Shumë nga situatat që na shqetësojnë sot kanë histori dhe të shkuar mjaft komplekse dhe të ndërlikuar dhe jo të lehtë për t'u zgjidhur. Por nëse shikoni me vëmendje në shumë raste, palët në çdo mosmarrëveshje duket se preferojnë të thonë fjalën e fundit që në fillim, duke lënë kështu shumë pak hapësirë për dialog.

Ky në vetvete nuk është shkaku, por është më tepër një simptomë e diçkaje më të thellë që po ndodh sot në marrëdhëniet ndërkombëtare. Shumë nga parimet rreth të cilave u themeluan organizata si OSBE-ja, po gërryhen. Respektimi i dialogut, respektimi i sistemit të bazuar në rregulla, respektimi i negociatave. E gjithë arkitektura e paqes, sigurisë dhe stabilitetit që ka qeverisur jo vetëm Evropën, por edhe botën, po gërryhet. Ky besoj është problemi i vërtetë.

Siç thashë, dialogu nuk është kurrë i lehtë. Sidomos në një klimë polarizimi të theksuar në politikën ndërkombëtare dhe të brendshme. Por unë besoj fort se dialogu është e vetmja rrugë.

Është ky besim dhe përkushtim ndaj vlerës së dialogut që mbështet politikën e jashtme të Shqipërisë. Kjo është arsyeja që në rajonin tonë ne kemi nisur një aksion të pashembullt, iniciativën e Ballkanit të Hapur, e cila në thelb është një përpjekje për të përshpejtuar procesin e Berlinit.

Sigurisht, ka çështje të pazgjidhura mes shumë njerëzve dhe vendeve në rajonin tonë. Por ne besojmë se duke biseduar, duke bashkëpunuar, duke u treguar njerëzve tanë dhe komuniteteve tona se si mund të përfitojnë nga bashkëpunimi, në vend të konfliktit, ne do të krijojmë një imperativ për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin.

Ne besojmë fuqimisht se organizata të tilla si OSBE-ja, të gjithë ne që përbëjmë këto organizata, kemi detyrimin të mbështesim parimet dhe rregullat që formojnë themelet jo vetëm të kësaj organizate apo ndonjë organizate tjetër, por të paqes, sigurisë dhe zhvillimit.

Dhe nuk duhet të harrojmë as për asnjë moment, se erozioni i këtyre parimeve, paqëndrueshmëria që prodhon erozioni, përbën një kërcënim në masë të barabartë për të gjitha vendet dhe shoqëritë tona. Sepse ne të gjithë përballemi me një betejë të vështirë me radikalizmin e dhunshëm, krimin e organizuar ndërshtetëror, trafikimin ose siç kanë treguar 2 vitet e fundit, pandemitë ose ndryshimet klimatike.

Është kjo arsyeja pse Shqipëria mbështeti qasjen e Suedisë për kthimin në qasjen bazë. Ishte besimi në dialog dhe bashkëpunim dhe përkushtimi ndaj sistemit të bazuar në rregulla që shoqëroi punën tonë gjatë kryesimit të organizatës.

Dua të nënvizoj se kjo qasje do të drejtojë edhe punën e Shqipërisë, kur shumë shpejt, në më pak se një muaj, ajo do të zërë vendin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një mandat dyvjeçar. Ne qëndrojmë përballë një mundësie unike për një vend të vogël si Shqipëria, të vetëdijshëm se çfarë ne mund të arrijmë konkretisht.

Jemi optimistë dhe besojmë se kemi ide dhe zgjidhje të rëndësishme për të kontribuar në çështjet kryesore që na shqetësojnë. Duke u mbështetur në përvojën e kryesisë sonë të OSBE-së, unë besoj se mund të kemi një ndikim, natyrisht duke bashkuar forcat me vendet me mendime të njëjta, për çështjet në të cilat ne besojmë shumë si Gratë, Paqja dhe Siguria.

Ne e vlerësojmë fuqimisht rolin e OSBE-së në zbatimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe përgëzojmë fuqimisht Suedinë dhe ju personalisht për angazhimin tuaj ndaj kësaj agjende, të cilën edhe Shqipëria e ndoqi me përkushtim gjatë kryesimit të kësaj organizate. Barazia gjinore, gratë, paqja dhe siguria janë bërë një nga shtyllat kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme shqiptare dhe prioriteti ynë i parë në mandatin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Por kjo nuk është e vetmja agjendë në të cilën ne po punojmë që të kemi një rol aktiv dhe me impakt. Ne po përpiqemi gjithashtu, të eksplorojmë partneritete të reja dhe të konsolidojmë ato ekzistuese, duke pasur parasysh sfidat e sigurisë me të cilat përballet zona e OSBE-së nga situatat në Afganistan ose Afrikën e Veriut. Ne do të bazohemi në punën e mirë që ka bërë Shqipëria gjatë kryesimit të saj të Organizatës, duke përfshirë arritjet e Këshillit Ministror të Tiranës, pozicionin e saj në Trojkë dhe punën e saj si Kryetare e Partnerëve aziatikë të OSBE-së kur bëhet fjalë për Afganistanin, apo dimensionin mesdhetar të sigurisë sonë.

Edhe një herë, urime kryesisë suedeze gjatë vitit 2021. I urojmë suksese miqve tanë polakë në kryesimin e tyre të ardhshëm, si dhe fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, si anëtare e re e Trojkës.

Faleminderit!