Ministry for Foreign Afairs and Europe - Republic of Albania

04/17/2024 | News release | Distributed by Public on 04/17/2024 14:57

“Forcojmë pasaportën shqiptare”, Ministri Hasani: Së shpejti, tre përfaqësi të reja diplomatike në Kenia, Indi e Indonezi

Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë.

Lajmin e bëri të ditur Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili theksoi se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, u miratua hapja e ambasadave në këto 3 shtete, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë.

Ministri Hasani theksoi se turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja.

Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 7 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme.