Ministry of Defence - Republic of Albania

07/03/2020 | Press release | Distributed by Public on 07/04/2020 09:46

Presidenti Meta dekreton dhënien e gradës “gjeneralmajor” komandantit të KDS, Bajram Rushit Begaj

e premte, 03 korrik 2020 16:59

Presidenti i Republikës Ilir Meta dekreton dhënien e gradës madhore 'gjeneralmajor' komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Bajram Rushit Begaj.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka lindur më datë 20 mars 1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin 'mjekësi' në vitin 1998.

Gjeneralmajor Begaj, ka përfunduar doktoraturën në fushën e Mjekësisë, në Shqipëri si dhe mban titullin 'Profesor i Asociuar' në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31 - vjeçare ushtarake ka kryer:

Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe Kursin e specializimit në fushën e Mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Aktualisht gjeneralmajor Begaj mban postin e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në Forcat e Armatosura, ndërkohë që në 31 vitet e karrierës në FA ka mbajtur një sërë detyrash mes të cilave: shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, drejtor i Spitalit Ushtarak, drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar etj.