Ministry of Defence - Republic of Albania

01/16/2021 | Press release | Distributed by Public on 01/16/2021 02:31

Forcat e Armatosura ndërtojnë dy ura në Memaliaj e Pukë dhe bëhen gati për ato të dëmtuara nga përmbytjet e fundit

e shtunë, 16 janar 2021 09:30

Fotogaleria

Viti i ri i gjeti me dy ura të reja banorët e disa fshatrave në Memaliaj dhe Pukë. Forcat e Armatosura ndërtuan dy ura tip 'bailey', të cilat lehtësojnë ndjeshëm lëvizjen e njerëzve dhe mjeteve.

Në bashkinë Memaliaj, xhenierët e Komandës Mbështetëse ndërtuan një urë 15 m të gjatë dhe me peshëmbajtje mbi 40 ton në fshatin Arrëz ë Madhe të njësisë administrative Luftinjë. Ura në këtë fshat lidh fshatrat Arrëz e Madhe, Arrëz e Vogël, Buz, Maricaj, dhe Vagalat me qendrën shëndetësore, shkollën 9-vjeçare, si dhe me rrugën nacionale dhe bashkinë Memaliaj.

Ura e dytë tip 'bailey' e ndërtuar në bashkinë e Pukës, është e gjatë 9 metër, por ka një rëndësi shumë të madhe për zonën.

Pas dëmeve të shkaktuara në infrastrukturën rurale nga përmbytjet e ditëve të fundit, efektivët e Batalionit të Xhenios (bxh) janë angazhuar për rindërtimin e tre urave në Lezhë dhe Krujë.

Xhenierët kryen rikonicionin e urës së Kalivaçit në Lezhë, e cila u dëmtua rëndë si pasojë e rrëshqitjes së dheut nga reshjet e dendura. Ura është e gjatë 21 m dhe e një rëndësie vitale për komunitetin pasi lidh rreth 1500 banorë të zonës. Ura lidh fshatrat Kalivaç, Ungrej, Kashnjet dhe Vig me pesë shkolla 9-vjeçare.

Një tjetër rikonicion është bërë në urën mbi lumin Drroj në fshatin Brret në bashkinë e Krujës. Ura ekzistuese ka pësuar zhytje në njërën nga këmbët e mesit, dhe parashikohet ndërtimi i një ure tip bailey 21m të gjatë mbi bazamentin ekzistues. Kjo urë lidh rreth 500 banorë të zonës përreth.

Po në bashkinë e Krujës, u bë edhe rikonicioni i urës mbi lumin Tërkuzë, ku pasi të betonohen këmbët e urës, parashikohet të ndërtohet një urë tip 'bailey' 27 m të gjatë.

Kjo urë ka një rëndësi të madhe pasi lidh Niklën me fshatin Rinas dhe Aeroportin Ndërkombëtar 'Nënë Tereza' dhe do të shërbejë gjithashtu si rrugë nacionale.

Forcat e Armatosura po ashtu janë angazhuar edhe për hapjen e Qafës së Thorës në aksin e bllokuar nga bora Bogë - Theth në Shkodër.