Delegation of the European Union to Albania

05/02/2024 | Press release | Distributed by Public on 05/02/2024 06:38

Java e Evropës 2024 - ngjyra dhe tingujt për të kremtuar gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe të drejtat e njeriut

PRINTO

Java e Evropës 2024 - ngjyra dhe tingujt për të kremtuar gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe të drejtat e njeriut

© EU in Albania

"Ode gëzimit", Simfonia e Nëntë e Beethoven-it e luajtur nga "The Door", një grup muzikantësh me nevoja të veçanta në Shkodër, do të kremtojë Javën e Evropës më 4 maj, buzë liqenit në Shirokë. Hitet ndërkombëtare janë po ashtu pjesë e performancës, e cila do të zhvillohet në zonën e këmbësorëve, ku skena do të shfaqë një "ode gëzimi" njerëzore përballë kështjellës, që ngrihet në mënyrë imponuese mbi kodër. Më vonë, në qytetin e kulturës do të mbahet një ekspozitë mbi të drejtat e njeriut nga studentë vendas, panairi i artizanëve, si dhe një performancë artistike nga Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor në Qendrën Shumëfunksionale "Xixëllonja", rindërtuar nga "BE për Bashkitë". Mbrëmja do të mbledhë adhuruesit e filmit në një kinema të hapur në Shirokë, ku do të shfaqet filmi suedez "Catwalk", i cili eksploron udhëtimin e pazakontë të Emës, një grua e re me aftësi të kufizuara që ëndërron të bëhet modele.

Duke kombinuar muzikën, natyrën dhe artistë të veçantë, Java e Evropës shënon fillimin e programit të këtij viti kushtuar Gjithëpërfshirjes, Diversitetit dhe të Drejtave të Njeriut.

Ngjyrat dhe tingujt, pikturat dhe muzika, shtëpitë e fëmijëve dhe të moshuarve, muzikantë me nevoja të veçanta, një kor vizualisht gjithëpërfshirës, grupi muzikor rom/egjiptian dhe Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor e kanë pasuruar programin e paraprirë nga një fushatë ndërgjegjësimi që promovon diversitetin mes nesh dhe kremton të gjitha kulturat, tingujt dhe zërat e shoqërisë. Duke përfshirë grupe, mosha dhe projekte të ndryshme që përmirësojnë jetën e personave me aftësi të kufizuara, programi synon të shfaqë bukurinë e heterogjenitetit në aspekte të ndryshme.

Më 6 maj, në Gjirokastër, do të zhvillohen dy shfaqje artistike në Pazar, njëra nga grupi muzikor rom/egjiptian dhe tjetra nga Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, duke bashkuar muzikën tradicionale me atë klasike. Përpara koncerteve, do të përurohet Tregu i ri Tradicional i Artizanatit Rom, që garanton që komuniteti të ruajë kulturën e vet dhe të punojë për të ardhmen e tij. Duke e konsideruar Gjirokastrën një qytet shkëmbimesh kulturore, një diskutim që nxjerr në pah harmoninë etnike dhe fetare të komuniteteve do të tregojë aftësinë për ndërtimin e urave, duke theksuar një shembull vendor të fenomenit global të bashkëjetesës. Në mbrëmje, kinemaja e qytetit, e rikonstruktuar nga projekti CBC IPA Interreg, do të hapë dyert për një film austriak, i cili rrëfen një histori mbi trojet e një lugine të largët në Shqipëri dhe një fermer spiritual.

Më 7 maj, në Tiranë, kremtimi i Javës së Evropës nis me përurimin e shkollës "Emin Duraku", e rindërtuar nga projekti "BE për Shkollat". Ai do të pasohet me një diskutim të hapur me temën "Si mundet muzika (muzikantët) dhe arti (artistët) të krijojnë një botë më të mirë?". Duke eksploruar konceptin e Javës së Evropës, Muralja e këtij viti, paraqet individët si nota muzikore dhe marrëdhëniet tona në komunitet që ndërveprojnë përmes rrathëve me ngjyra dhe madhësi të ndryshme. Ajo do të ekspozohet më 8 maj dhe është pikturuar nga artisti i rrugës Franko, në bashkëpunim me studentët e Universitetit të Arteve të Bukura, ndërsa në universitet do të mbahet një klasë master për violë. Në mbrëmje, "Ndeshja e Futbollit Solidariteti Evropian" në Qendrën Sportive të Federatës Shqiptare të Futbollit do të grumbullojë fonde për "Strehën".

Kremtimi i Ditës së Evropës, 9 maji, fillon në Sheshin Italia me një performancë artistike të Korit Vizualisht Gjithëpërfshirës të mbështetur nga Creative Europe dhe Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor. Panairi i BE-së në Tirana do të shfaqë larminë e projekteve në vazhdim të financuara nga Bashkimi Evropian që sigurojnë barazi, gjithëpërfshirje dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe gjithashtu promovojnë përfshirjen sociale, mosdiskriminimin dhe mbështetjen për njerëzit në nevojë.

Në mbrëmje, në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve do të mbahet koncerti i Ditës së Evropës nga Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor, e drejtuar nga Desar Sulejmani, i cili është edhe iniciatori dhe bashkëthemeluesi i orkestrës. Orkestra është një platformë për muzikantët e rinj që punojnë përtej ndarjeve kombëtare, etnike, fetare dhe kulturore, duke kontribuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërkufitar dhe ndëretnik. Ajo kërkon të bashkojë rininë e rajonit, duke thyer pengesat, duke nxitur paqen afatgjatë dhe duke paraqitur zhanre që nga muzika klasike deri tek ajo pop e rock nga të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.

Koncepti vizual i Javës së Evropës është frymëzuar nga Wassily Kandinsky, një piktor i famshëm, pasioni i të cilit për muzikën është i njohur. Muzika është gjithashtu përgjigja për temën e Javës së Evropës të këtij viti. Nota të plota, gjysmë apo çerek, të gjitha nevojiten për muzikën, madje edhe pushimet mes tyre. Të drejtat e njeriut, diversiteti dhe gjithëpërfshirja kanë të bëjnë me pranimin dhe gëzimin e të gjithë tingujve dhe ngjyrave, sepse përjashtimi i një ngjyre të vetme do ta fshinte ylberin. T'i konsiderosh dallimet si dhuratë është një proces, në të cilin mësojmë të vlerësojmë gjithë fragmentet e mozaikut. Vetëm një sy vizionar do ta vinte re të gjithë imazhin, njëlloj si në një orkestër, ku të gjitha instrumentet krijojnë simfonitë. Siç thoshte Kandinsky: "Çdo ngjyrë jeton sipas jetës së vet misterioze".

Javën e Evropës do ta mbyllim më 11 maj, me transmetimin për publikun të mbrëmjes finale të Eurovizionit në Sheshin Italia, për të shijuar muzikën evropiane me të gjithë ju.